Shqipëria i hap shkollat më …


Ministria shqiptare e Arsimit bëri të ditur se, mbi bazë të rekomandimit të Komitetit kombëtar të ekspertëve për përballje me koronavirusin mësimi në vitin e ri shkollor 2020/2021 do të fillojë më 15 shtator. Theksohet gjithashtu se nga 31 gushti e deri më 11 shtator do të mbahen orë shtesë vetëm me ata nxënës nga klasa e parë deri në të pestën të cilët nuk kanë pasur qasje dhe mundësi të ndjekin mësimin onlajn në periudhën mars-maj të vitit 2020.

“Drejtoritë rajonale për arsim tashmë i kanë identifikuar shkollat dhe nxënësit të cilët mund të jenë pjesë e këtij programi dhe të cilët kryesisht janë nxënës të cilët i takojnë grupeve të ndjeshme, romë, egjiptianë apo zona të largëta rurale. Orët mësimore në këtë periudhë dhe në të ardhmen do të zhvillohen sipas të gjitha protokolleve të kushteve higjienike-sanitare mbajtjen e distancës fizike dhe mbrojtjen e shëndetit të të gjithëve” qëndron në kumtesë.

Ministrja e Arsimit Besa Shahini deklaroi se për të gjithë nxënësit nga klasa 1-7 dhe për nxënësit e kategorive të veçanta deri në klasën e 12-të do të sigurohen tekste shkollore falas. Pas paralajmërimit për fillimin e mësimit një pjesë e ekspertëve nga kjo fushë konsiderojnë se ende nuk janë krijuar kushtet për fillimin e mësimit para së gjithash ruajtja e distancës fizike. Duke filluar nga fakti se 120 objekte shkollore janë jashtë përdorimit për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti katastrofal që vendin e goditi më 26 nëntor të vitit të kaluar.