Shqipëria i dërgon mesazh të qartë Albin Kurtit nga Nju Jorku: Dëgjoi aleatët!

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, qysh pas krizës në veri, kishte bërë thirrje të shumta në drejtim të kryeministrit Albin Kurti për të dëgjuar këshillat amerikane dhe evropiane për de-eskalim, duke alarmuar se ajo që e pret Kosovën do të jetë shumë e rëndë. Rama kishte anuluar edhe një mbledhje të përbashkët të dy Qeverive për shkak të acarimit të raporteve të Kosovës me aleatët, ndërkohë që Kurti i ishte kundërpërgjigjur duke mos e pritur në takim gjatë vizitës në Kosovë.

Thirrjen për të mos ikur nga dialogu dhe marrëveshja themelore, Rama e ka përsëritur edhe në një intervistë të fundit nga salla e Kombeve të Bashkuara, ku u përplas me Rusinë edhe për Kosovën. Kryeministri shqiptar gjithashtu ka qenë kritik ndaj gjuhës që Kurti ka përdorur ndaj emisarit sllovak, Miroslav Lajcak.

“Rruga e zgjedhur çon në një kurs përplasjeje me miqtë, aleatët dhe partnerët, në vend se të çojë tek realizimi i qëllimit të përbashkët. Kjo është e trishtueshme. Por kjo kam besimin që është e përkohshme”, ka thënë Rama në “Real Story”.

Thirrje për të dëgjuar aleatët ka bërë edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili të premten gjatë qëndrimit në Nju Jork ka folur në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Begaj ka thënë se në OKB, Shqipëria ka shprehur mbështetjen e fuqishme për dialogun Kosovë-Serbi, që lehtësohet nga BE dhe që përkrahet nga SHBA-ja, si aleat strategjik i shqiptarëve.

Ai ka thënë se s’ka nevojë për vetëizolim, por për miq dhe mbështetje. Prandaj sipas kreut të shtetit shqiptar, Kosova duhet që patjetër të dëgjohet secili rekomandim i dhënë nga aleatët.

“Ne nuk kemi nevojë për vetëizolim, ne kemi nevojë për miq, për mbështetje. Kështu që duhet patjetër që çdo rekomandim i dhënë nga aleati ynë strategjik duhet të dëgjohet. Duhet të dëgjohet më së tepërmi nga politikanët e Kosovës, ata të cilët janë vendimmarrësit për këtë gjë. Do të këshilloja që, të gjithë politikanët e Kosovës, të gjithë shqiptarët, duhet të kuptojnë që ne kemi vetëm një busull, ajo busull duhet të na orientojë drejt rrugëtimit euroatlantik”, ka thënë Begaj.

Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti Bajram Begaj është takuar edhe me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Raporti i Kosovës me Bashkimin Evropian është përkeqësuar thellësisht pas takimit të 14 shtatorit, ku kryeministri Kurti pasi ka dalë nga takimi ka akuzuar emisarin sllovak, Miroslav Lajcak, se po akomodon kërkesat e Serbisë.

Pak ditë më vonë në një konferencë për media, Kurti ka akuzuar Lajcakun se edhe ka gënjyer për punën e propozimeve të bëra më 14 shtator në Bruksel dhe ka thënë se emisari sllovak është koordinuar me Serbinë kundër Kosovës. Gjithë këtë nervozë të Kurtit e ka shkaktuar kërkesa që Kosova të nis e para me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pas këtyre akuzave të Kurtit, BE-ja ka lëshuar një komunikatë në emër të 27 shteteve anëtare ku kanë shprehur përkrahjen e fuqishme për Miroslav Lajcak. Njejtë ka vepruar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, duke thënë se njohin punën e palodhur të Lajcak për dialogun.