Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, sot do të nisin zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Të martën në Bruksel, do të qëndrojnë delegacionet e Tiranës dhe Shkupit zyrtar, të udhëhequra nga kryeministrat e dy vendeve kandidate, Edi Rama e Dimitar Kovaçevski.
Të dyja delegacionet do të mbajnë ndaras konferencat ndërqeveritare me BE-në.
Procesi i këtyre dy vendeve ishte bllokuar për shkak të vetos së Bullgarisë ndaj Maqedonisë. E Shqipëria ishte futur në një pako me Shkupin zyrtar.
Ngërçi me Bullgarinë u zgjidh të shtunën, kur Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi propozimin francez që tejkalon mosmarrëveshjet mes këtyre dy vendeve për gjuhën dhe historinë.
Maqedonia e Veriut ka statusin e kandidates për anëtarësim në BE nga viti 2005, kurse Shqipëria nga viti 2014.