Shqipëria e 6-ta në botë për kanabis

Përkundër raportimeve të autoriteteve shqiptare për një përmirësim të ndjeshëm të situatës me kultivimin e kanabisit gjatë viteve të fundit, Shqipëria mbetet një nga vendet europiane me prodhimin më të madh të kësaj bime narkotike.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka publikuar raportin global për drogën dhe krimin ku konstaton se Shqipëria dhe Holanda janë dy shtetet kryesore në Europë që përmenden më shpesh për periudhën 2014-2018 si shtete të origjinës, nisjes dhe tranzitit të barit të kanabisit.

Raporti, i cili bazohet në analizën e të dhënave direkte dhe indirekte për periudhën 2014–2018, tregon për një sërë vendesh që ka të ngjarë të kenë kultivim më të madh të kanabisit në raport me shtete të tjera në të njëjtin rajon. Kështu kur flitet për Europën Juglindore përmendet vetëm Shqipëria si vend kryesor për prodhimin e kanabisit në rajon. Ndërsa në Europën Perëndimore përmenden Holanda, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Spanja dhe Belgjika.

Raporti gjithashtu jep të dhënat edhe për rëshirën apo substancën që nxirret nga presimi i kanabisit, ku Shqipëria sërish përmendet si një nga vendet kryesore të prodhimit të saj, por kësaj here jo në vetëm në Europë por në botë.

Sipas grafikut që publikohet në këtë raport vendi ynë renditet i gjashti në botë për prodhimin e rëshirës së kanabisit për periudhën 2014 -2018. Para saj renditen vende të njohura prodhimit të drogërave si Maroku, Afganistani, Pakistani, Libani dhe Irani. Ndërkohë që Holanda dhe Spanja renditen pas Shqipërisë.

Raporti thotë se trafikimi i rëshirës së kanabisit është më i përqëndruar se ai i barit të kanabisit, ku 51% e saj në 2018-n u kap në Europën Perëndimore dhe Qëndrore.

Sa i përket gjendjes globale, raporti thekson se përdorimi i drogës në të gjithë botën ka qenë në rritje, për sa i përket numrit të përgjithshëm dhe peshës së popullsisë që përdor drogë. Në vitin 2009, kishte 210 milionë përdorues të vlerësuar, që përfaqësonin 4.8 % të popullsisë globale të moshës 15-64 vjeç, krahasuar me 269 milionë përdorues të vlerësuar në 2018, ose 5.3 % të popullsisë.

Ndër drogat e përdorura kanabisi është substanca më e përdorur në botë, me rreth 192 milionë përdorues.