Shqipëria do të strehojë edhe të burgosurit bjellorusë, pas iranianëve dhe afganëve

Sviatlana Tsikhanouskaya, liderja e opozitës bjelloruse deklaroi se të burgosurit politikë në Bjellorusi mund të strehohen në Shqipëri në të ardhmen.

Liderja e opozitës bjelloruse konfirmoi se kjo ishte një ndër pikat për të cilat foli me kryeministrin Edi Rama gjatë takimit një ditë më parë.

Për “Top News”, Tsikhanouskaya u shpreh se të burgosurit politik në Bjellorusi kanë vuajtur shumë dhe se vendi ynë mund të bëjë shumë me programet e rehabilitimit.

“Ndonjëherë vendet e vogla, vendimet e tyre janë më të rëndësishme se të vendeve të mëdha sepse çdo vend ka një zë të fuqishëm, veçanërisht nëse ai vend merr pjesë në Organizata Ndërkombëtare. Shqipëria mund të bëjë shumë për Bjellorusinë, kryesisht për programet e rehabilitimit të të burgosurve politikë dhe familjeve të tyre. Të burgosurit tanë kanë vuajtur shumë dhe Shqipëria mund t’i presë në të ardhmen. Me Ramën folëm për programin e rehabilimit dhe për evente kulturore në Shqipëri”, tha ajo.