Në Shqipëri një tjetër anëtar i Gjykatës së Lartë u shkarkua sot nga detyra. Shkëlzen Selimi, rezultoi sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, me lidhje të papërshtatshme me elementë të krimit të organizuar. Ndërkohë sot Partia demokratike publikoi dokumenta sipas të cilave një prej anëtarëve të Komisionit të Pavaruar të Kualifikimit, Lulzim Hamitaj, ka falsifikuar dëshminë e gjuhës angleze, duke kërkuar shkarkimin e tij dhe nisjen e hetimeve nga Prokuroria.
Nëse për shumicën dërrmuese të rasteve, gjatë procesit të rivlerësimit, gjyqtarët dhe prokurët janë shkarkuar për çështje që lidhen me pasurinë, për anëtarin e Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, u përqëndrua në integritetin e tij moral. Lidhjet e papërshtatshme me elementë të krimit të organizuar çuan sot në vendimin për ta lënë atë jashtë sistemit të Drejtësisë.
Gjyqtari Selimi, sipas informacioneve të siguruara nga ekspetrtët ndërkombëtarë, kishte ndikuar në vitin 2015 në vendimin e Gjykatës së Lartë për të mos ekstraduar në Itali të shumëkërkuarin Arben Qimja, një emër i njohur dhe në Shqipëri, ku është përballuar disa herë me sistemin gjyqësor. Gjyqtari rezultoi të ketë paktur në përdorim për dy vjet, një automjet që ishte në pronësi pikërisht të shoferit të Arben Qimes. Po ashtu dhe të dhënat e institucioneve shqiptare kishin zbuluar lidhje të tij me elementë të krimit.
Me shkarkimin e tij, Gjykata e Lartë rrudhet më tej në vetëm 5 anëtarë, nga të cilët 3 e kanë kaluar me sukses fazën e parë të rivlerësimit, ndërsa për dy të tjerë Artan Brocin dhe Medi Bicin, vendimi pritet të jepet nesër. Por edhe kështu siç është, Gjykata ndodhet thuajse në ngërc total, me të tre kolegjet e saj jashtë funksionit, ndërsa 26 mijë dosje janë ende të pashqyrtuara.
Por sot, ishte dhe vetë Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit që pësoi një goditje. Partia Demokratike ka publikuar dokumenta sipas të cilave, komisioneri Lulzim Hamitaj ka falsifikuar dëshminë për zotërimin e gjuhës angleze. Sipas deputetit Enkelejd Alibeaj, në vitin 2016, kur ka aplikuar për punë si pedagog pranë Universitetit europian të Tranës në curriculumin e tij Hamitaj ka deklaruar se zotëron nivelin fillestar të anglishtes B1, ndërsa në dokumentacionin e paraqitur pranë organeve të rivlerësimit, figuron një dëshmi e vitit 2015, sipas së cilës njohja e anglishtes është e nivelit më të lartë C1. Sipas PD, dhe ky dokument është falsifikuar, për më tepër, që në periudhën kur Komisioneri ka deklaruar se ka dhënë provimin, ai, sipas PD-ës që publikoi të dhënat e sistemit TIMS, nuk ka qenë për më shumë se tre muaj në Shqipëri.
“Këto fakte krijojnë bindjen e arsyeshme se Lulzim Hamitaj, Komisioner pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ka mashtruar organet shtetërore dhe ka përdorur një dokument të falsifikuar, me qëllim që të siguronte kualifikimin në konkurim. Ky fakt i rëndë tregon se ai nuk gëzon integritetin e duhur moral për të ushtruar detyrën e rëndësishme në organet e vettingut. Falsifikimi dhe përdorimi i dokumenteve të falsifikuara është vepër penale dhe në këtë rast është kryer me dijeni të plotë për qëllime të mashtrimit të organeve shtetërore”, u shpreh Gazmend Bardhi, ekspert ligjor i PD-ës, sipas të cilit Komisioni i Pavarur duhet të nisë ndaj tij procedurat disiplinore për shkarkimin nga detyra, ndërsa Prokuroria procedim penal, “për falsifikimin dhe përdorimin e dokumenteve të falsifikuara, të cilat i ka depozituar pranë organeve shtetërore dhe për të cilën Kodi Penal parashikon dënim deri në 4 vjet burgim”.
Deri në mbrëmje, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, apo dhe nga vetë komisioneri Hamitaj, nuk ka patur asnjë reagim ndaj akuzave dhe fakteve të publikuara nga opozita. Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme, përmes një komunikimi të shkurtër njoftoi se “ka kërkuar vlerësimin e rastit duke ia përcjellë Prokurorisë kompetente për verifikim”.