Shqipëri: Shërbime shëndetësore falas për të moshuarit

Duke folur për programin e kujdesit shëndetësor për të moshuarit që jetojnë në shtëpitë e të moshuarve, Manastirliu tha se ai do të shtrihet në të gjitha shtëpitë e të moshuarve në të gjithë vendin.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, gjatë një vizite në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë, prezantoi nisjen e një programi të ri të vizitave periodike të syve dhe ofrimit të syzeve falas për të moshuarit, raporton Anadolu Agency (AA).Në një prononcim për mediat, Manastirliu tha se shërbimet dhe mbrojtja për të moshuarit e vetmuar dhe braktisur janë në fokus të Ministrisë Së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

“Përballemi herë pas here me fenomene të braktisjes së të moshuarve. Para disa ditësh patëm një rast që sensibilizoi publikun dhe për fat të mirë çifti i të moshuarve sot janë në shtëpinë tonë të të moshuarve në qendrën polivalente të Poliçanit”, tha Manastirliu.Sipas saj, shoqëria shqiptare bërthamën e familjes e ka shumë të fortë. “Duhet të punojmë fort që ta kultivojmë këto vlera të mira të forcës së familjes dhe të dashurisë për të moshuarit”, tha ajo.Duke folur për programin e kujdesit shëndetësor për të moshuarit që jetojnë në shtëpitë e të moshuarve, Manastirliu tha se ai do të shtrihet në të gjitha shtëpitë e të moshuarve në të gjithë vendin.“E kemi filluar me një shërbim shumë të rëndësishëm që është ai i okulistikës. Sot kemi kryer 50 ekzaminime në Shtëpinë e të Moshuarve të Tiranës dhe për ata të cilët kanë pasur nevojë i kemi ofruar edhe syze. Këto ekzaminime do të kryhen në mënyrë periodike në të gjithë Shqipërinë. Gjithashtu ne po punojmë edhe për të investuar në shtëpitë e të moshuarve në të gjithë Shqipërinë”, deklaroi Manastirliu.