Shqipëri-Serbi heqin vizat, nga 20 janari lëvizje vetëm me kartë ID

Nga dita e djeshme, shtetasit shqiptarë dhe ata serbë mund të lëvizin në të dyja vendet vetëm me kartë identiteti, pa patur nevojë për pajisje me vizë.

Lajmin e bën të ditur Ministrja Për Punë të Jashtme dhe Europën, sipas të cilës, “më datë 20 janar 2021 ka hyrë në fuqi marrëveshja ndryshuese ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë mbi lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve”.

Sipas ministrisë, kjo marrëveshje i jep mundësinë qytetarëve shqiptarë të udhëtojnë drejt shtetit serb, duke përdorur vetëm një kartë identiteti biometrike si mjet identifikimi dhe kështu anasjelltas. Ja dokumentet që konsiderohen të vlefshme: Pasaportë, Pasaportë diplomatike, Pasaportë shërbimi, Një dokument udhëtimi për hyrje (kthim) në Republikën e Shqipërisë, Kartë identiteti biometrike.

Ndërsa për shtetasit serbë që do të kalojnë kufirin shqiptar do të cilësohen të vlefshme këto dokumente: Pasaportë, Pasaportë diplomatike, Pasaportë shërbimi, Leje kalimi, Kartë identiteti biometrike. Serbia bëhet vendi i pestë që e ofron këtë mundësi pas Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës.