Shqipëri, 1100 ha tokë e përmbytur në Shkodër, bora bllokon aksin Bogë-Theth

Moti me reshje të dendura shiu dhe dëbore ka sjellë një sërë problematikash në të gjithë Shqipërinë. Në Shkodër, sipërfaqja e përmbytur ka shkuar në 1100 hektarë tokë, ndërsa ujësjellësi Oblika 1 është jashtë funksionit. Akset rrugore në rrethin e Pukës nuk kanë probleme, teksa në Qaf Mali ka prezencë të borës me trashësi rreth 5cm, por pa shkaktuar probleme për qarkullimin e mjeteve.

Në Bashkinë e Vaut të Dejës, kanë mbetur pa energji elektrike njësia Vig Mnele, pasi 7 shtylla të tensionit të lartë i ka marrë uji dhe gjithashtu nuk ka energji elektrike në Njësinë Temal dhe Shllak.

Disa rrugë rurale janë të bllokuara nga rrëshqitje gurësh dhe dherash. Ndërkohë, argjinatura në krahun e majt të urës Gjinajve në Njësine Administrative Vig Mnele është drejt shembjes.

Në Pukë, energjia elektrike në zonat rurale vijon të ketë ndërprerje. Në aksin Bogë-Theth reshjet e dëbores kanë vazhduar gjatë gjithë natës, por është bërë e ditur se akoma nuk është ndërhyrë në zonën e orteqeve pasi vazhdojnë rreshqitjet e dëborës dhe momentalisht është e rrezikshme ndërhyrja.