Shpresë në Maqedoni, spitalet zbrazen nga rënia e numrit të pacientëve me Covid-19

Për shkak të numrit të reduktuar të pacientëve me Covid-19, mëngjesin e sotëm janë mbyllur disa kovid-qendra në Shkup dhe disa kapacitete mjekësore në spitale të ndryshme në qytete tjera. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë mbyllur kovid-qendrat në Klinikën e Kardiologjisë, ORL-së, në Klinikën e Sëmundjeve të Syve si dhe në Institutin për Terapi Fizikale.

Në lidhje me: Gjatë 24 orëve janë aplikuar mbi 14 mijë vaksina kundër Covid-19
Sipas autoriteteve shëndetësore në vend, që nga fillimi i kësaj jave, kovid-qendra nuk ka edhe në Klinikën e Urologjisë dhe Klinikën e Kirurgjisë Plastike, të cilat tashmë kanë filluar me program të rregullt kirurgjik. Qendra e Klinikës së Traumatologjisë në TOARILUC do të mbyllet të premten, ndërsa nga e hëna Klinika Ortopedike dhe Klinika e Traumatologjisë do të nis me program të rregullt kirurgjikal.

Ndryshe, në klinikat e Shkupit aktualisht po trajtohen 258 pacientë të diagnostikuar ose të dyshuar për Covid-19, ndërsa në nivel shtetërorë ka gjithsej 392 pacientë që trajtohen në ambiente spitalore. Sipas raportit të fundit vendi numëron 10.308 raste aktive me virusin korona.