“Shpëtoi dhjetëra njerëz nga zjarri, Greqia i jep shtetësinë emigrantit shqiptar”


Greqia ka vlerësuar tre emigrantë, një shqiptar dhe dy egjiptianë, të cilët shpëtuan shumë persona që ishin në rrezik nga flakët në zjarrin e madh që përfshiu periferinë e Athinë në fund të muajit korrik. Ministri i Brendshëm i ka propozuar Presidentit që të tre të marrin shtetësinë greke për ndihmën e madhe që dhanë për të shpëtuar të mbijetuarit e zjarrit në Mati të Atikës.

Ndërkohë që emigrantët janë vlerësuar edhe nga kryeministri i Greqisë, Tsipras gjatë një takimi që zhvilloi në Mati me familjet e dëmtuara nga zjarri. “Peshkatarët e Nea Makrit, vendas edhe emigrantë, zhvilluan një betejë heroike gjatë gjithë harkut kohor të tragjedisë duke shpëtuar jetë. Shteti e vlerëson sakrificën e tyre. I falënderojmë”, shkruan kryeministri grek në faqen zyrtare në Twitter.

Nga zjarri masiv që përfshiu periferinë e Athinës humbën jetën mbi 98 persona, ndërsa shumë të tjerë u plagosën. Mes viktimave ishin edhe dy shqiptarë, ndërsa mbi 13 u lënduan nga beteja me flakët.