Shpërthime të reja të radio paisjeve të dorës në Liban, të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe qindra janë plagosur

Të paktën tre persona humbën jetën në shpërthimet në luginën Bekaa në Libanin lindor, raportoi këtë pasdite agjencia shtetërore libaneze e lajmeve, ndërsa burime të sigurisë deklaruan se qindra njerëz janë plagosur nga një seri shpërthimesh të reja në të gjithë vendin.

Radio pajisje të dorës të përdorura nga anëtarët e Hezbollahut janë detonuar në jug të vendit dhe në periferi jugore të kryeqytetit, Bejrut, thanë burime të sigurisë dhe dëshmitarë.

Të paktën një shpërthim ka ndodhur pranë vendit ku Hezbollah pro-iranian organizoi një varrim për personat që humbën jetën dje nga shpërthimi i mijëra pajisjeve pager, të cilat përdornin anëtarët e organizatës.

“Disa pajisje radioje shpërthyen në periferi jugore të Bejrutit,” deklaroi një burim anonim, ndërsa ekipet e shpëtimit konfirmuan shpërthimin e këtyre pajisjeve në dy automjete.

Izraeli u akuzua për shpërthimet e djeshme të pajisjeve pager, në të cilat humbën jetën 12 persona, përfshirë një fëmijë. Udhëheqësit izraelitë nuk e kanë komentuar incidentin, raportojnë mediat izraelite.

Burime të sigurisë libaneze njoftuan se radio pajisjet që shpërthyen sot ishin blerë pesë muaj më parë, në të njëjtën kohë me pajisjet pager.