Shpërtheu me tritol hotelin e të atit/ Arrestohet 36-vjeçari, pas gjyqit prona do t’i kalonte bashkëpronarit

Djali i një prej pronarëve të hotelit “Bizant” në Sarandë është autori i dyshuar i vendosjes së eksplozivit që shpërtheu një ditë më parë, duke shkatërruar godinën.

36-vjeçari Sotir Çabiri, djali i shtetasit Spiro Çabiri, që hotelin e kishte në bashkëpronësi me Dhimitër Evangjeliun është vënë nën hetim për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, me pasoja të rënda materiale.
Policia ka sekuestruar veshje që dyshohet se janë përdorur nga Çabiri gjatë vendosjes së lëndës eksplozive, 3 celularë dhe sende të tjera që u gjetën në vendngjarje.

Objekti që funksiononte si biznes që prej vitit 2011 i regjistruar në emër të Miranda Çabirit, vajza e Spiro Çabirit, ka pasur një seri të gjatë problemesh pronësie mes bashkëpronarëve të tij. Godina është pronësuar me ligjin e privatizimit në 1991 dhe është ndërtuar në vitin 1996. Në 2002, fillojnë konfliktet e pronësisë mbi truallin e ndërtimin dhe vlerën e biznesit.
Gjykata i ka njohur shtetasit Evangjeliu 90% të pronësisë dhe ka lënë në favor të dy të tjerëve 10 % e mbetur. Objekti është vlerësuar me vlerën monetare 920 mijë Euro dhe Evangjeliu detyrohej t’i paguante me një këst dy aksionerëve të tjerë nga 46 mijë euro për 10% të pronësisë, por çështja është kundërshtuar sërish në gjykatë nga Çabiri dhe kalvari i gjyqeve dhe konflikteve vijon prej 21 vitesh.
Vendimi i gjykatës duket se ka revoltuar 36-vjeçarin që e mbushi hotelin me disa kilogramë tritoli dhe e hodhi në erë rreth orës 06:00 të së hënës.
Si pasojë e shpërthimit me eksploziv, u shkatërrua plotësisht hoteli dhe u shkaktuan dëmtime të fasadave të objekteve të tjera në afërsi të hotelit. Nga shpërthimi nuk pati asnjë shtetas të dëmtuar.
Top Channel