Shpërthen një granatë dore në Prishtinë, dëmtohen tri vetura


Një granatë dore ka shpërthyer sot në orët e para të mëngjesit në lagjen “Dardania” në Prishtinë. Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci. Sipas Borovcit, persona të lënduar s’ka, por janë dëmtuar tri vetura.

“Rreth orës 06:30, është raportuar se në rrugën “Dalmatët” në Prishtinë , një veturë është dëmtuar nga një mjet i dyshuar shpërthyes. Dyshohet që nga shpërthimi të jenë prekur edhe dy vetura të tjera të parkuara përreth. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, dhe nga informacionet e para dyshohet që ngjarja të ketë ndodhur rreth orës 03:00 , ndërkohë që nuk raportohet për të lënduar.

Dëmet materiale dyshohet të kenë ardhur si pasojë e shpërthimit të mjetit shpërthyes që dyshohet të jetë granatë dore. Aktualisht policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka deklaruar Borovci./Gazeta Express