Shpërthen Erdogan: Netanyahu është një “Fuhrer” modern, brutaliteti i tij në kufijtë e gjenocidit

Duke drejtuar gishtin nga Perëndimi në shenjë kritike për mbështetjen që po i japin, Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka kritikuar ashpër kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, duke e quajtur një “Fuhrer” modern.

“Organizatat përgjegjëse për garantimin e sigurisë globale kanë dështuar, janë bërë të vetëkënaqur dhe kanë humbur ndjeshëm besueshmërinë e tyre. Ata thjesht qëndrojnë për të parë barbarinë në kufi me gjenocidin të Fuhrer-it modern Netanyahu dhe grupit të tij gjakatar, i cili mbart plot urrejtje kundër popullit palestinez”, tha presidenti turk.

Gjatë ceremonisë së dorëzimit të katër anijeve të reja luftarake në Marinën turke, Erdogan u ndal gjatë te lufta në Gaza, duke thënë se brutaliteti i Netanjahut arrin kufirin e gjenocidit.

Sipas liderit turk Perëndimi ofron mbështetje të pakufizuar dhe të pakushtëzuar për qeverinë izraelite duke dërguar aeroplanmbajtëse në rajon, por mbyll sytë kur duhet të ngrejë zërin për masakrat dhe mizoritë e kryera nga Tel Avivi.

“Ata që morën jetën e gati 25 mijë banorëve të pafajshëm të Gazës, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, duke shkaktuar dhimbje për 100 mijë njerëz në total, sigurisht që do të përballen me pasojat e veprimeve të tyre. E thënë troç, vendet perëndimore dhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë nuk e kanë kaluar testin për çështjen e Gazës, nuk kanë më asnjë besueshmëri. Është zbuluar fytyra fashiste e atyre që përdorin fjalët e tyre për të qenë mbrojtës të demokracisë. Nuk do të jenë në gjendje të shfajësojnë veten nesër thjesht duke shprehur pendimin e tyre”, shtoi ndër të tjera Erdogan.

Kujtojmë se ‘Führer’ [Udhëheqësi], është titull i përdorur nga Adolf Hitleri për të përcaktuar rolin e tij të autoritetit absolut në Rajhun e Tretë të Gjermanisë.