Shpërthen bo*mba, vetëm një besimtar e ndërpret faljen e Bajramit (VIDEO)

Një sulm me bomba pranë pallatit presidencial në Kabul tronditi festën e Kurban Bajramit në Afganistan. Fatmirësisht, zyrtarët vendas nuk raportuan për viktima apo të plagosur. Një zëdhënës i presidentit tha se bombat u hodhën ndërsa Ashraf Ghani po falte Bajramin, bashkë me një numër të kufizuar personash.

Në një video të bërë virale në rrjet, duket se nga shpërthimi vetëm një besimtar frikësohet dhe mbetet në këmbë, ndërsa të tjerët, përfshi edhe presidentin Ghani, vijojnë ritualin e faljes.
Edhe pse pa viktima, sulmi është vetëm një tjetër dëshmi e pasigurisë që rrethon Afganistanin këto ditë, për shkak të tërheqjes së trupave amerikane dhe territorit të madh që Talebanët kanë rimarrë në kontroll.

Ndryshe nga vitet e kaluara, Talebanët nuk shpallën armëpushim gjatë këtij Bajrami, duke vijuar ofensivën e tyre për pushtimin e pikave kufitare dhe qyteteve e krahinave të ndryshme në vend.