Shpenzimet mujore nuk mund të mbulohen as me dy paga minimale

Një familjeje mesatare iu desh të ndajë 300 denarë më shumë për ushqim dhe pije nga muaji maji në qershor, ose rreth 20 mijë denarë. Shporta e konsumatorit akoma nuk mund të mbulohet me dy paga minimale.

“Në pikat e shitjes që vizituam nëpër kryeqytet, qytetarët thonë se kryesisht çmimet e produkteve ushqimore mbeten të shtrenjta dhe nuk kanë vërejtur ndonjë lëvizje pozitive që nga shfuqizimi i vendimeve të qeverisë për marzhat e çmimeve dhe të TVSH-së”, raporton Adnan Qaili, gazetar.

“Kohëve të fundit gjithçka është shtrenjtuar, por në dy vitet e fundit ndjehet kjo në buxhetin familjar.”

“Çmimet janë shtrenjtuar shumë në markete, unë vij nga Kosova… dhe këtu në Maqedoni janë shumë më shtrenjtë në krahasim me Kosovën. Ishin lirë por tani jo më, sidomos djathi e kaçkavalli janë shtrenjtë. Në Kosovë 6 euro/kg këtu 500 denarë (8 euro) edhe djathi bardhë i shtrenjtë si gjitha produktet ushqimore.”

Nga ana tjetër Lidhja e Sindikatës së Maqedonisë thonë se edhe pse krahasuar me muajin paraardhës ka një rënie të lehtë të vlerës së shportës së konsumit në muajin qershor, sërish kostot e ushqimeve dhe pijeve janë rritur. Statistikat tregojnë se ushqimi është bërë më i shtrenjtë brenda një viti. Buka dhe drithërat shiten me një çmim të rritur prej gati 27%. Qumështi, djathi dhe vezët pothuajse 26%, mishi mbi 25%. Vetëm vajrat dhe yndyrat u bënë më të lira me 5.3%.

“Një familje katër anëtarëshe muajin e kaluar i nevojiteshin 48.543 denarë për të mbuluar shpenzimet minimale të shportës së konsumatorit. Më së shumti para në muajin qershor, 19.805 denarë, janë nevojitur për ushqim dhe pije, ndërsa 13.416 denarë për mbulimin e shpenzimeve për banim. Nga shpenzimet tjera, të cilat janë pjesë e shportës sindikale, 3.720 denarë nevojiten për transport, ndërsa 3.252 denarë për higjienë”, thonë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.

Ndonëse në qershor inflacioni kaloi në një shifror, sërish mbetet e lartë në krahasim me vendet e rajonit.

Statistikat tregojnë inflacionin 9.3% në qershor, një rënie e lehtë u shënua edhe në shportën e konsumit. Shporta e konsumit sindikal ishte 500 denarë më lirë në krahasim me muajin maj. Gjatë majit qytetarët kanë pasur më së shumti shpenzime për ushqim dhe pije, si dhe për mbulimin e kostove të banimit.

Mirëpo nga Ministria e Financave thotë se këto janë të dhëna inkurajuese, pasi vendi ka arritur të ulë inflacionin me mbi 10% që nga tetori dhe deri në fund të vitit pritet që inflacioni të ulët edhe për 2%. /Alsat.mk