Kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti në një intervistë për IndeksOnline ka folur në lidhje me situatën politikë në vend duke thënë se tani në këtë situatë pandemie Kosova ka nevojë për një qeveri funksionale dhe për një konsensus të përgjithshëm.
I pari i Prishtinës, ka thënë se situata në vend kërkon të veprohet shpejtë, e të largohen kryneçësit dhe inatet politike. Koha se kush është më popullor e kush jo sipas tij tashmë ka perenduar.
” Neve na duhet vendimmarrje funksionale, që është e shpejtë, vendimmarrje që nuk është e bllokuar, nuk po them çfarëdo vendimmarrje. Mirëpo ju e keni parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikë, kemi polarizim edhe më të madh të dy partive politike, por kur janë takuar për situatën ekonomike, një javë kanë negociu dhe asnjë votë kundër në senatin për të miratuar pakon 2-3 trilionë dollarësh. Te ne nuk po lejohet që qeverisë që është rrëzu me dërgu ligj, nuk mund t’i lëvizim fondet, në anën tjetër opozita paraqet programin e vet, gjithë ditën e gjithë natën ka gjuajte të njërës anë në tjetër, jo ju s’po dëgjoni jo ju s’po dëgjoni, nuk e meritojnë qytetarët këtë, nevojitet një kompromis dhe vendimmarrje kolektive, për ta bërë pakon ekonomike dhe për të reaguar”, tha Ahmeti për IndeksOnline.
Ai ka thënë se situatë tani e rënduar ekonomike do të jetë edhe më e vështirë në muajtë që do të vijnë dhe se ajo nuk mund të përballohet me një buxhet normal. Andaj Ahmeti ka thënë se tani duhet menduar përtej kësaj dhe se komunat nuk do ta keni buxhetin qe e kanë pasur cdo vit.
E në tërë këtë situatë Ahmeti ka theksuar se vetëm në lëkurën e një personi nuk do të donte të ishte tani, në atë të kryeministrit. Madje ai ka thënë se koha kur është menduar për të marrë vota, e për të ngritur popullaritetin tani as që duhet të diskutohet, pasi që kjo është një periudhë e vështirë e që nuk mundet ta përballoj asnjë politikan.
“Pas gjithë kësaj situate shohim partitë, të luftojnë për pushtet. As armikut më të madh nuk do të ja dëshirojë Kryeministrin sot. Punë të vështire se sa kryeministër në këto ditë nuk do të ketë , kushdo që ka menduar të rritet e të marrë vota, e me u popullarizu, duhet ta kuptoj se do të jetë periudhë tepër e vështirë, periudhë që nuk mundet ta përballoj asnjë politik, pra kemi nevojë që për qeveri që sakrifikohet që do të thotë fundi i karrierës politike, sepse nuk do të mund tu përgjigjemi kërkesave dhe kjo do të kushtoj më pas mos popullaritet. Ka kaluar koha, të mendojmë për vetën a po shpëtojmë politikisht , është koha ta shpëtojmë shtetin”, nënvizoi ai.