Shpallje për shitje të veshkave online, kërkohet lejimi i transplantimit (VIDEO)

Platforma online për shitblerje “Merrjep” shfrytëzohet nga qytetarët për të shitur produkte të ndryshme. Mirëpo, disa prej tyre po shfrytëzojnë këtë hapësirë për të ofruar shitjen e një organi mjaft të rëndësishëm për njeriun – veshkën. Madje, në këto shpallje specifikohet edhe grupi i gjakut të donatorit.
Mirëpo, cila është e vërteta e këtyre postimeve, ku çmimet variojnë nga 6000 e deri në 30 mijë euro?

Mediat kanë telefonuar një prej personave që ka bërë shpallje, por i njëjti kërkoi që të kontaktohet më vonë.
E të tjerë kanë treguar se dikush tjetër ua ka vendosur numrin e telefonit në këto shpallje, prandaj telefonatat janë të vazhdueshme. Thirrje të vazhdueshme ka pasur edhe një tjetër qytetar. Personat që i bëjnë këto shpallje shprehen se detyrohen të ofrojnë veshkën për shkak të kushteve të vështira ekonomike.

Por, a lejohet transplanti i veshkave në Kosovë?
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë sqaruar se në vend nuk ka ligj për transplantim të organeve. Sipas tyre, institucionet në vend nuk kanë kapacitete për t’i ofruar këto shërbime. Mirëpo, ndryshe shprehet Pleurat Sejdiu, nga Oda e Mjekëve të Kosovës.

Sipas tij, është e pakuptimtë që në Kosovë nuk po ofrohet transplantimi. Sejdiu shprehet se kjo do të ndalonte pazaret e tilla të qytetarëve. Ndërsa nga Policia e Kosovës kanë thënë që nuk kanë trajtuar ndonjë rast tjetër të kësaj natyre, përveç atij të vitit 2008, të njohur si “Medicus”.