Vëllezërit Durim dhe Valter Bami janë shoqëruar në Dubai nga policia për verifikim pasi janë persona të shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare në kuadër të operacionit të fundit të SPAK të quajtur “Revanshi” ose e njohur si “Metamorfoza”.
Klan News raporton se dy vëllezërit Bami aktualisht janë të shoqëruar nga autoritetet e Dubait. Ndërkohë, Policia Shqiptare është në komunikim me homologët në Dubai dhe u ka dërguar gjurmët e gishtërinjve të Durim e Valter Bamit si dhe akuzat për të cilat ata kërkohen nga autoritetet e vendit tonë.
Vëllezërit Bami fshihen prej disa kohësh në Dubai dhe janë persona të shpallur në kërkim me urdhër-arresti nga SPAK.
Sipas dosjes së SPAK, Durim Bami akuzohet se ka siguruar kushtet për të vrarë Arben Ndokën, Tori Xheçukën dhe Erigers Mihasin, si dhe rezultonte i përfshirë në kultivimin e kanabisit në Tapizë të Niklës. Nga ana tjetër, po sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, Durim dhe Valter Bami ishin në ndjekje nga 16 persona të tjerë të cilët kërkonin për t’i vrarë./TV Klan