Dje dhe sot bota e futbollit është në shok. Sipas mediave spanjolle, një klub nga Arabia Saudite i ka ofruar Vinicius Junior një kontratë me vlerë 5 miliardë euro, ose një miliardë për sezon. Kjo shumë është pesë herë më e madhe se ajo që merr Cristiano Ronaldo te Al-Nassr.
Raportohet se braziliani ka pranuar në parim ofertën dhe se ky transferim pritet të ndodhë gjatë merkatos së verës në vitin 2026. Sigurisht që Real Madrid do të marrë një dëmshpërblim të majmë, duke qenë se Vinicius ka kontratë me klubin deri në vitin 2027.
Megjithatë, kjo duket më shumë si spekulim, veçanërisht kur dihet që kohët e fundit Vinicius nuk është aq i dashur në botën e futbollit, sidomos pas reagimeve nga ai dhe Real Madrid për mosmarrjen e “Topit të Artë”. Dihet që Real Madrid është një klub i madh që di si ta tërheqë vëmendjen duke shpërndarë informacione të tilla të brendshme.
Arabia Saudite po paguan shuma të mëdha për lojtarët, por të japësh një miliardë për sezon për Vinicius është shumë edhe për saudianët. Thuhet se për këto para, Vinicius do të kërkohet të jetë ambasador futbolli për Arabinë Saudite, por kjo nuk duket shumë e realizueshme për një lojtar që nuk ka popullaritet të lartë.
Kjo duket më shumë si një “lojë” nga Real Madrid për ta promovuar Vinicius në nivelin e një mega-ylli si Messi ose Ronaldo.