Policia në Irlandë është duke i hetuar raportimet se trupi i një burri të vdekur është dërguar në një zyrë postare në përpjekje për t’ia tërhequr pensionin nga dikush tjetër. Sipas raportimeve lokale, një burrë hyri në zyrën postare në Carlow të premten në mëngjes dhe u përpoq që të tërhiqte një pension në emër të një burri tjetër, shkruan Independent, përcjell Gazeta Express. Pasi i thanë se burri në emrin e të cilit është pensioni duhet të jetë i pranishëm në zyrë për t’i tërhequr të hollat, raportohet se i dyshuari u largua dhe dy persona më vonë u kthyen me një burrë në të gjashtëdhjetat, që dukej si “i montuar”. Gazeta “The Irish Times” raporton se trupi i burrit u la në vendin e ngjarjes, pasi dy burrat e dyshimtë ikën, kur një grua raportoi për dyshime.
Kryetari i qytetit Carlow, Ken Murnane, tha se komuniteti lokal është absolutisht i shokuar nga raportimet për këtë ngjarje. “E tërë qyteza është në shok që dikush vërtet mund të bëjë diçka si kjo, është e pabesuesme”, tha ai. Një zëdhënës i policisë tha se zyrtarët janë duke i hetuar rrethanat e vdekjes së pashpjegueshme të një burri në zonën Carlow të premten në mëngjes. “Një obduksion do të kryhet nga Zyra e Patologut Shtetëror, rezultatet e të cilit do ta përcaktojnë rrjedhën e hetimit”, thuhet në deklaratë.