Shkupi-Tirana e Beogradi me deklaratë të përbashkët për të ardhmen evropiane


Rama-Vuçiq-Zaev me deklaratë trepalëshe për “Ballkan Perëndimor Evropian”. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, homologu i tij shqiptar dhe presidenti serb gjatë një video konference të përbashkët kanë përsëritur qëndrimet e tyre se vendi i Shqipërisë, Maqedonisë dhe Serbisë është në BE dhe se nuk ka alternativë tjetër për vendet e Ballkanit Perëndimorë.

Deklarata e përbashkët Rama-Vuçiq-Zaev
“Vendet tona janë pjesë e Evropës dhe gjithmonë do të jenë. Vendeve të Ballkanit Perëndimor u nevojitet BE-ja, aq sa edhe ato i nevojiten BE-së. Mossuksesi i vazhdueshëm i BE-së për të plotësuar premtimet dhe pamundësia e saj për të lëvizur para me hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është në kundërshtim me vullnetin evropian të vendeve tona dhe kundër interesave të vetë BE-së”.

Ndonëse në konferencë nuk morën pjesë liderët e Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi, në deklaratën e përbashkët i bëhet thirrje vendeve të rajonit t’i bashkohen iniciativave të tilla dhe të zbatojnë marrëveshje të cilat kanë për qëllim forcimin ekonomik të Ballkanit Perëndimorë.

Deklarata e përbashkët Rama-Vuçiq-Zaev
“I ftojmë dhe i inkurajojmë kolegët tanë në rajon të nënshkruajnë dhe të zbatojnë marrëveshje të ngjashme, në mënyrë që vizioni i hapësirës së përbashkët politike dhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor do të bëhet pjesë e rëndësishme e përditshmërisë së qytetarëve tanë përmes tregut të vetëm. Në këtë frymë shpresojmë që do ta përforcojmë procesin e bashkëpunimit mes ne, në tërë rajonin dhe do të vazhdojmë të japim gjithçka nga vetja që kjo të ndodh”.

Tre liderët takimin e ardhshëm do ta zhvillojnë më 29 korrik në Shkup ku edhe pritet të nënshkruhen marrëveshjet e dala nga Samiti i Berlinit e që kanë të bëjnë me bashkëpunimin dhe ndihmë në rast të fatkeqësive natyrore, si dhe për lehtësimin e tregtisë, importin dhe eksportin mes vendeve tona.