Shkup, mjeku mori rrogë mujore 500 euro katër vite pa shkuar në punë

Një specializant që figuron në listën e rrogave në SPQ “* Shtatori” në Shkup, katër vite nuk është paraqitur në punë.
Këtë e ka konfirmuar drejtori i Spitalit, Hristijan Kostov, pasi personeli i revoltuar shëndetësor nga ky spital është ankuar se gjatë kohës së pandemisë dikush privilegjohet, e dikush tjetër me fëmijë të vegjël në shtëpi, duhet të shkojnë rregullisht në punë për të kontrolluar pacientët, shkruan Sloboden Peçat.
Bëhet fjalë për një specializant i cili ka marë rrogë 30 mijë denarë, por nuk paraqitet në punë dhe mund t’i shqiptohet përjashtim.

“Edhe për të edhe për një kolege tjetër, poashtu specializante, kemi hapur procedurë disiplinore. Nuk e kam parë në spital katër vite, kurse duhet t’i jap rrogë 30 mijë denarë, sepse e tillë është Kontrata me Ministrinë e shëndetësisë. Në kohën e VMRO-DPMNE-së kanë miratuar njëfarë programi për kofinancim të specializimit dhe në bazë të asaj dispozite është në listën e pagave.

Ka edhe një tjetër kolege të tillë, mirëpo për të verifikova që është maksimalisht e angazhuar në ambulancën për endokrinologji në qendrën klinike. Por edhe për të kemi hapur procedurë disiplinore sepse është e paqartë pse gjendet te ne, tani katër muaj nuk vjen gjatë pandemisë, kurse më herët vinte.

Çka do që të vendoset në procedurë disiplinore, ashtu do të veproj, nëse vendoset të përjashtohen nga puna, ashtu do të bëj”, ka deklaruar Kostov.
Për këto dy raste, ka filluar të reagojë personeli mjekësor në SPQ “8 Shtatori” që çdo ditë shkon në punë dhe nuk ka pushim për shkak të pandemisë, kurse brenda ditës në ambulancë kontrollohen deri 180 pacientë.
Ata nuk e kanë të qartë se si dikush mund të paguhet nga spitali që të mos shkojë në punë.