Shkup, marshi i 8 marsit “Varfëria e ka fytyrën e grave”

Nën sloganin “Varfëria ka fytyrën e femrës” u marshua nga Qeveria deri tek parku “Gruaja luftëtare”. Protesta e këtij 8 Marsi iu përkushtua varfërisë që ka shkaktuar pandemia e Covid-19 e cila ka sjellë një sërë largimesh nga puna në industri si ajo e tekstilit, ku shumica e të punësuarve janë gra.

Bojana Jovanovska nga Platforma për barazi gjinore thotë se vetë institucionet në vend lejojnë diskriminimin e grave.

“Gratë në Maqedoninë e Veriut nuk marrin pjesë në mënyrë të barabartë në marrjen e vendimeve. Në mungesë të politikave, dokumenteve strategjike dhe mekanizmave që mbështesin promovimin e barazisë gjinore dhe të drejtave të grave do të thotë që institucionet lejojnë diskriminimin sistematik dhe dhunën”, theksoi Bojana Jovanovska, Platforma për Barazi Gjinore.

Thonë se me kalimin e viteve disa nga kërkesat janë plotësuar, por ka ende shumë punë për të drejta të barabarta. Jovanovska tha edhe disa prej kërkesave të tyre. Kërkojnë pjesëmarrje më të madhe të grave në grupet e punës që i përgatisin dhe zbatojnë masat për gjendjen me Covid-19 dhe për krizën ekonomike.

“Kërkojmë rritje të pjesëmarrjes së grave në pozicione vendimmarrëse, përmes vendosjes së kuotave në të cilat parashihet më së paku 40% pjesëmarrje e grave në çdo nivel të pushtetit. 05.16- 30 Kërkojmë krijimin dhe implementimin të masave të reja për punësim të cilat marrin parasysh specifikat e të gjitha grave të margjinalizuara, sidomos romet, gratë me aftësi të veçanta, gratë viktima të dhunës dhe nënat vetushqyese”, tha Bojana Jovanovska, Platforma për Barazi Gjinore.

Nga Platforma për barazi gjinore thonë se edhe gjatë betejës me Covid-19 gratë dhe vajzat ishin të parat në front, si infermiere, si mësuese, si përkujdesëse dhe si mirëmbajtëse të higjienës.