Shkup, fëmijët e bllokuar në veturën e parkuar, tashmë të strehuar në familje kujdestare


Qendra ndëkomunale për punë sociale ka marrë masa ndaj dy fëmijëve për të cilët dje rreth orës 21:50 në SPB Shkup është paraqitur se në hapësirën e parkingut në bulevardin “Vidoe Smilevski – Bato” në një automjet “Alfa” me targa të Shkupit janë gjetur dy fëmijë të mbyllur, informojnë nga Policia, njofton Portalb.mk.

Nga ana e zyrtarëve policor menjëherë kanë intervenuar dhe fëmijët janë nxjerrë nga automjeti, ndërkaq me automjet të Ndihmës së Shpejtë janë dërguar në kompleksin e klinikave “Nënë Tereza”.
Pas marrjes së masave nga zyrtarët policor, janë gjetur prindërit e fëmijëve T.T. (44) dhe M.N. (35). Është njoftuar prokurori publik dhe po punohet në pastrimin e rastit.

Nga Klinika kanë informuar se fëmijët ishin të vetëdijshëm, të frikësuar dhe pak të dehidruar, dhe me një përkujdesje gjatë natës, ato tashmë janë në gjendje të mirë shëndetësore, por nën kujdesin e Qendrës ndërkomunale për punë sociale.

“Ekipi profesionist do të punojë me prindërit dhe në bazë të informacioneve nga institucionet tjera, do të vendosë çfarë masa do të merren pastaj”, deklarojnë nga Qendrës ndërkomunale për punë sociale.