Shkup, dy pjesëtarë të ushtrisë infektohen me koronavirus


Ministria e Mbrojtjes njofton se dy pjesëtarë të Ushtrisë kanë rezultuar pozitiv me koronavirus (Covid-19), ndërsa që të dy nuk kanë udhëtuar jashtë vendit.

“Të dy pjesëtarët e Armatës, një nënoficer dhe një ushtar kanë punuar në garnizonin e Shkupit. Njëri prej të infektuarve ka punuar në restorantin ushtarak në kazermën e Ilinden si ndihmës”, njoftojnë nga Ministria e Mbrojtjes.

Nga Ministria e Mbrojtjes theksojnë se janë marrë të gjitha masat menjëherë pasi janë vërtetuar rastet në fjalë.

“Restoranti ushtarak është dezinfektuar plotësisht dhe janë marrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtje sipas protokolleve epidemiologjike. Restoranti do të mbyllej për 24 orët e ardhshme. Të gjithë që supozohen që kanë pasur kontat me kontakt me personat e infektuar tashmë janë në vetizolim”, shtojnë nga Ministria e Mbrojtjes.

Të dy pjesëtarët e ushtrisë të cilët kanë rezultuar pozitiv ditëve të fundit kanë qenë në vetizolim pasi anëtarët e familjeve të tyre kanë dyshuar në simptomat e Covid 19.