Shkup, ambasadorja turke i ka pritur çiklistët që udhëtuan deri në Stamboll për dëshmorët e 15 Korriku

Ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, priti çiklistët Daim Muharem, Levent Rifat dhe Bekim Kalisi nga Maqedonia, të cilët në shenjë përkujtimi për dëshmorët e tentativës për grusht shteti më 15 korrik në Turqi, në veçanti dëshmorin Abdullha Tayyip Olçok, djalit të Erol Olçok, dhëndrit shkupjan që së bashku me të birin ranë dëshmorë më 15 korrik, përshkuan me biçikletë një rrugë nga shtëpia e familjes Olçok në Shkup deri në Stamboll. ( BUNJAMIN KURTISHI - Anadolu Agency )

Në rezidencën e Ambasadës turke në Shkup janë pritur tre çiklistët nga Maqedonia, të cilët në shenjë përkujtimi për dëshmorët e tentativës për grusht shteti të 15 korrikut në Turqi, përshkuan me biçikletë një rrugë nga Shkupi deri në Stamboll, raporton Anadolu Agency (AA).

Daim Muharem, Levent Rifat dhe Bekim Kalisi, të cilën u nisën nga shtëpia e familjes Abdullah Tayyip Olçok, djalit të Erol Olçok, dhëndrit shkupjan që së bashku me të birin ranë dëshmorë më 15 korrik, u pritën nga ambasadorja turke në Shkup, Tülin Erkal Kara, nga i shoqi i saj Cumhur Kara, ndërsa të pranishëm në këtë eveniment ishin edhe nëna e Abdullah Tayyip Olçok, Nihal Olçok, dhe kryetari i Odës Ekonomike Maqedoni-Turqi (MATTO) Ajdovan Ademoski.

Nihal Olçok u dhuroi çiklistëve nga një orë për shkak të aktivitetit me biçikleta, ndërsa çiklistët i dhuruan fanellat me të cilat përshkuan rrugën nga Shkupi në Stamboll.
Duke folur për AA, ambasadorja Kara shprehu falënderimet për Klubin e Çiklizmit Adrenalina nga Gostivari, të cilin e cilësoi si heroik.

Kara tha se kishin shprehur dëshirë t’i prisnin çiklistët për këtë hap që kanë ndërmarrë.

“Ndihesha krenare kur dëgjova. Në Maqedoni e përjetuam atë që ndodhi para dy viteve. U shprehi falënderime të pafund vëllezërve të rinj këtu dhe shokëve të tjerë. Kur dëgjova për këtë, dëshiroja t’i prisja pasi këtu gjendet edhe zonja Nihal”, tha Kara.

Kara falënderoi edhe kryetarin e MATTO-s Ademoski dhe sponsorët e tjerë, duke e cilësuar aktivitetin si shumë kuptimplotë.

Ambasadorja e cilësoi 15 korrikun si “ditë të dhimbshme që nuk duhet harruar”, ndërsa luti Zotin për mëshirë për 251 dëshmorët, përfshirë dëshmorët Abdullah Tayyip, Murat Mert dhe Erol Olçok.

Ndërkaq, Nihal Olçok tha se nuk ka mundur të besojë kur ka dëgjuar për herë të parë për këtë aktivitet, duke e cilësuar atë si një hap që ka prekur zemrat.

Ajo tha se ky aktivitet është një sjellje që ka lindur me sinqeritet nga zemra e një fëmije.

“Unë edhe një herë besoj se realiteti i kësaj ngjarjeje nuk do të harrohet çfarëdo që të bëhet. Për mua ishte me rëndësi që ky realitet buroi nga trojet ku unë linda. Sepse Abdullahu është vëllai i tij i vërtetë dhe jam e bindur se Abdullahu do ta thërrasë me emër atë në ditën e gjykimit dhe do të kërkojë nga ai të hyjnë së bashku”, theksoi Nihal Olçok.

– “Të mos harrojmë dhe të mos lejojmë të harrohet 15 Korriku”

Ideatori i aktivitetit, Daim Muharem, tha se vendimi për ta realizur aktivitetin me biçikleta ishte marrë pasi fillimisht kishte menduar se çfarë mund të bëjë për dëshmorët e 15 Korrikut dhe Abdullah Tayyip Olçokun.

Muharem tha se gjatë rrugës janë përballur me vështirësi, porse kanë shfaqur durim gjatë përmbushjes së detyrës që kanë marrë përsipër.

“Na pritën shumë mirë në Turqi”, tha Muharem.

Nga ana tjetër, Levent Rifat bëri të ditur se Daimi e kishte ftuar për të marrë pjesë në aktivitet 2-3 javë para se të niseshin.

“E pranova symbyllur. Brenda gjashtë ditëve përshkuam rrugë të gjatë 850 kilometra. Udhëtimi në fakt ishte shumë i vështirë, sepse po niseshim në rrugë në orët e hershme. Pasdite arrinim nëpër qytete. Temperaturat ndryshonin. Kur u nisëm ishte 20 gradë, ndërsa kur arritëm, temperatura shkonte në 45 gradë”, tha Rifat.

Edhe Bekim Kalisi, duke folur për udhëtimin, tha se ai ka kaluar mirë edhe pse temperaturat kanë qenë të larta.

“Përshkuam shumë kilometra. Të bësh 150 kilometra në ditë është distancë e vështirë. Të mos e harrojmë dhe të mos lejojmë të harrohet 15 Korriku”, shtoi Kalisi.