Furnizuesi më i madh i ngrohjes qendrore në Shkup, Balkan Energy Group (BEG) ka njoftuar se nga 15 janari, do ta ndërpresin ngrohjen për 54.000 amvisëri, 95 institucione arsimore dhe 1.027 objekte të tjera në kryeqytet. BEG konsideron se janë kompani me përgjegjësi shoqërore pasi më pak se dy ditë para se ta ndërpresin ngrohjen, e informojnë opinionin për këtë. Ata kërkojnë ndihmë nga Qeveria për vazhdimin e ngrohjes, përkatësisht 9 milionë euro për furnizim me gaz natyror vetëm për muajin janar.
Balkan Energy Group
“Si kompani me përgjegjësi shoqërore, informojmë se nuk kemi më shumë burime për financimin e sezonit të ngrohjes pa ndihmë shtetërore për kompensimin e tarifës për prodhimin e ngrohjes, kështu që nuk do të mund të vazhdojmë me prodhimin e ngrohjes”.
BEG pretendon se ka pasur “pengesa objektive për sigurimin e financimit nga shteti”. Ata sugjerojnë që në periudhën e krizës energjetike dhe derisa të mos kenë para për të blerë gaz, menaxhimin e ndërmarrjes ta marrë Qeveria dhe pas përfundimit të sezonit të ngrohjes, kompania të përdoret sërish.
Pas këtij njoftimi të BEG-së, kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski tha se BEG do të mbetet pa licencë në momentin kur do të ndërpresë furnizimin me ngrohje në Shkup.
Ai përjashtoi mundësinë që BEG-ut mund t’i zgjidhte dikë tjetër problemin, për t’u kthyer në maj “si princat mbi kuaj të bardhë”. Sipas Bislimovskit, BEG dhe TE-TO kanë refuzuar të gjitha opsionet e ofruara nga Komisioni Rregullator dhe Qeveria.
Krahas BEG-ut, pakënaqësi ka edhe me propozimet e qeverisë nga ShA TE-TO pas vendimit të djeshëm të qeverisë që të duhet të punojë çdo ditë nga ora 5 deri në 13:00, ku sasitë shtesë të energjisë elektrike të prodhuara do të blihen nga ShA EMV me çmim deri në 170 euro për megavat orë. Në të njëjtën kohë, energjia termike që do ta prodhojnë do të duhet t’i dorëzohet BEG-ut. Nga TE-TO thonë se duan që çmimi të jetë gati dyfish më i lartë, apo 270 euro për megavat orë pa TVSH.
Ndërkaq, Prokuroria ka gati tre vjet që po zhvillon procedurën para hetimore për këtë kompani.
Procedura para hetimore ka të bëjë me mënyrën se si BEG, gjegjësisht tri filialet e kompanisë që ofron ngrohje qendrore, kanë marrë licencën për kryerjen e aktivitetit energjetik – furnizim me ngrohje. Bëhet fjalë për një kallëzim penal që MPB-ja në maj të vitit 2019 e ka ngritur kundër ish-kryetarit të Komisionit Rregullator, Dimitar Petrov dhe tre anëtarëve të komisionit për dhënie të paligjshme të tri licencave në vitin 2012 për kryerjen e veprimtarive energjetike (prodhim i rregulluar, shpërndarje dhe furnizim me energji termike), pa plotësimin e kushteve dhe kritereve, duke shkaktuar një dëm prej 6.6 milionë eurosh.
Qytetarët e Shkupit ditëve të fundit, janë përballur me ulje të temperaturës së ngrohjes, ose me kaloriferë krejtësisht të ftohtë.