Anëtarëve të një ekipi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) u është ndaluar hyrja në Kinë. Ekipi duhej të hetonte origjinën e koronavirusit në Vuhan. Pekini kishte rënë dakord për këtë vizitë në dhjetor, pas shumë muajsh negociatash me OBSH-në. Dy zyrtarë ishin nisur në udhëtimin e tyre por, njëri tani është kthyer dhe tjetri është në tranzit në një vend të tretë.
Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se ndalesa ndodhi për shkak të mungesës së vizave dhe ai ishte “shumë i zhgënjyer” që Kina nuk kishte siguruar ende lejet për ekipin “duke pasur parasysh se dy anëtarë kishin filluar udhëtimet e tyre dhe të tjerët nuk ishin në gjendje të udhëtojë në minutën e fundit”.
Ai shtoi se kishte qenë në kontakt me zyrtarë të lartë kinezë për të theksuar “se misioni është një përparësi për OBSH-në dhe ekipin ndërkombëtar”.
Koronavirusi i ri, që shkakton sëmundjen COVID-19 u zbulua për herë të parë në Vuhan në fund të vitit 2019, dhe shumë shpejt u përhap në tërë botën. Sidoqoftë, vëzhguesit thonë se Kina tani po kërkon të distancohet nga lidhjet e saj të hershme me koronavirusin. Në periudhën e fundit ajo po thekson sukseset e saj në luftimin e pandemisë. Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Kinën për fshehje të informacioneve fillestare për virusin.
Presidenti amerikan, Donald Trump, disa herë e ka quajtur koronavirusin “një virus kinez”. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins me seli në SHBA, deri më tani në botë janë infektuar me koronavirus mbi 84 milionë persona, prej të cilëve mbi 1 milion e 800 mijë kanë vd*ekur. Të dyja shifrat besohet të jenë më të larta.