Shkon në mbi 28,000 numri i të infektuarve me koronavirus në Zvicër

Agjencia e Shëndetit Publik në Zvicër njoftoi se numri i të infektuarve me koronavirus ka shkuar në 28,063 persona.

Gjatë 24 orëve të kaluara u shënuan 119 raste të infektimeve, ndërsa 45 persona kanë vdekur. Kështu, numri i përgjithshëm i viktimave të virusit të ri shkoi në 1,187.

Kulmi i rasteve të reja në Zvicër duket se u shënua në fund të muajit të kaluar, kur për 24 orë ishin shënuar 1,300 raste të reja. Prej asaj kohe, shifra ka ardhur duke u zvogëluar, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Zvicra ndodhet gjeografikisht mes dy shteteve me numër të lartë të rasteve, Italisë dhe Gjermanisë, por masat e hershme për mbylljen e kufirit dhe ndërprerjen e fluturimeve duket se e kanë parandaluar përhapjen masive të virusit nga vendet fqinje.

Deri më tani, Italia dhe Spanja janë vendet më të prekura nga koroanvirusi në Evropë, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë më së shumti të vdekur dhe të infektuar në botë.