Greqia është në zi kombëtare pas përballjes me një nga tragjeditë më të mëdha e cila deri tani ka shkaktuar 77 të vdekur dhe mbi 180 të plagosur.
Flakët që pushtuan Atikën perëndimore dhe lindore, zona turistike në afërsi të kryeqytetit grek Athinës, lanë pas dhjetëra viktima dhe qindra të lënduar, ndërsa e gjithë zona u shndërrua në një gërmadhë.
Skuadrat e kërkim shpëtimit po kërkojnë shtëpi më shtëpi dhe në makinat e djegur për persona të humbur.
Nuk ka ende një konfirmim zyrtar sa persona rezultojnë të humbur, ndërsa shumë njerëz përmes televizioneve apo në rrjete sociale kërkojnë të afërmit e tyre. Numri i viktimave pritet të rritet ndërsa do të vijohet të kërkohet mes gërmadhave që la zjarri.
Më shumë se 280 zjarrfikës janë ende në zonë në verilindje të Athinës, dhe vijojnë të shuajnë flakët. Ndërkohë 200 zjarrfikës të tjerë ndodhen në perëndim të Athinës, për të shuar flakët në zonën ku autoritetet evakuuan paraprakisht tre komunitete brenda natës.
Mediat greke shkruajnë se ndërsa mobilizimi i njerëzve “të zakonshëm”, vullnetarë, peshkatarë, të gjithë ata që kontribuuan dhe kontribuojnë me çfarëdo mjeti ishte gjigant, shteti përsëri provoi se është i papërgatitur për t’u përballur me një incident kaq të madh.