Shkon në 27 numri i të vdekurve si pasojë e tërmetit në Turqi dhe Greqi

Rreth 27 persona gjetën vdekjen në Turqi dhe Greqi kur një tërmet i fuqishëm goditi Detin Egje të premten pasdite, duke shembur ndërtesa dhe duke shkaktuar atë që autoritetet e quajtën “mini cunami”.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, zyrtarët thonë se 25 njerëz ndërruan jetë vetëm në Turqi, derisa dy adoleshentë – një djalë dhe një vajzë – vdiqën në ishullin grek të Samos pasi një mur u shemb mbi ta.

Të paktën 20 ndërtesa u shkatërruan në qytetin e Izmirit, bazuar në deklaratën e Kryetarit të Bashkisë, Tunc Soyer.
Imazhet e publikuara deri më tani treguan se si automjetet u shtypën nën ndërtesa, derisa njerëz gërmonin nëpër rrënoja në kërkim të të mbijetuarve.

Ndërkohë, agjencia e katastrofave në Turqi tha se të paktën 804 njerëz kanë pësuar lëndime nga tërmeti.
Një total prej 196 tronditjesh janë regjistruar, 23 prej të cilave ishin me 4.0 magnitudë, sipas agjencisë.
Operacionet e kërkimit janë duke vazhduar në 17 ndërtesa, katër prej të cilave janë shembur.