Shkolla në Reçicë gati në shtator

Vazhdojnë pa ndërprerë punët për përfundimin e objektit të shkollës fillore në Reçiçë të Vogël. Pas ndërtimit të objektit bazë momentalisht punohet në vendosjen e rrjetit elektrik, ngrohjes qendrore, sistemit të ujit dhe rrjetit të internetit. Krahas kësaj, po ashtu punohet edhe në vendosjen e konstruksionit të dritareve. Sipas autoriteteve të Komunës së Tetovës, tashmë kanë filluar punët në fazën e dytë për ndërtimin e objektit shkollor me mjete të siguruara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

E tërë kjo me qëllim që deri në shtator shkolla të jetë e gatshme për të pritur nxënësit e kësaj lagje të Tetovës. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, thekson se premtimi për shkollën në Reçicë të Vogël do të mbahet dhe mësimi do të fillojë në shtator, respektivisht fëmijët e kësaj lagje do të mësojnë në një objekt të ri dhe afër tyre.

“Sipas informacioneve nga kompania dhe inspektimet që kemi bërë, pjesa më e madhe e punëve atje ka përfunduar sa i përket objektit nga jashtë. Tash kanë filluar punët në pjesën e brendshme dhe rrethinat e oborrit të shkollës. Ashtu siç ju kanë informuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, punët janë duke shkuar sipas afateve të parapara dhe presim që në shtator të kemi objekt të përfunduar të shkollës më të re në territorin e Komunës së Tetovës sipas standardeve më moderne”, deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Më shumë se 700 nxënës të lagjes Reçicë e Vogël mësimin e ndjekin në shkollën fillore “Naim Frashëri” dhe shkollën fillore në Reçicë të Madhe “Përparimi”. Këta fëmijë detyrohen që të udhëtojnë më shumë se tre kilometra çdo ditë duke qenë të ekspozuar ndaj rreziqeve nga qentë endacakë, nga veturat e shumta që qarkullojnë në këtë zonë, por edhe mungesa e ndriçimit publik në disa rrugë.

Pikërisht, këto kanë qenë arsyet që prindërit e kësaj lagje të Tetovës kanë kërkuar që me ngulm të ndërtohet kjo shkollë. Premtimet për ndërtimin e kësaj shkolle janë dhënë që moti dhe kanë qenë edhe premtime elektorale të kryetares së Komunës të Tetovës, Teuta Arifi që në mandatin e saj të parë. Premtim për ndërtimin e kësaj shkolle kishte dhënë edhe kryeministri Zoran Zaev, i cili kishte dalë publikisht në përkrahje të kandidaturës së Teuta Arifit. Ende nuk ka informacione të sakta se sa nxënës do të sistemohen në këtë shkollë të re, por ajo që dihet është se Shkolla fillore “Naim Frashëri” do të mund të zhvillojë mësimin me numër normal të nxënësve për shkak të numrit enorm të tyre. Disa vite më parë, mësimi në këtë shkollë ishte zhvilluar edhe me tre ndërrime.