Shkoi të ndihmonte Italinë, infermieri shqiptar: Jemi frikësuar shumë, ja çfarë pamë në spitale

Korab Gjana është njëri nga 30 mjekët dhe infermierët shqitparë që ndodhen në Itali prej ditës së djeshme për të ndihmuar popullin fqinj në luftën me koronavirusin. Në një bisedë me Skype nga Italia për Report Tv ai u shpreh se janë vendosur në spitalin e Breshias, ku do të qëndrojnë për një muaj për të ndihmuar kolegët e tyre.

Gjana tha se vendimin për të ikur në Itali nuk e mendoi dy herë, ndërsa shtoi se kishte dhe shumë të tjerë që donin të vinin. Infermieri i QSUT-së vlerësoi mikpritjen italiane. “Të them të drejtën nga Roma në Breshia të gjithë italianët na kanë duartrokitur, qeveritarët, kryetarë komunash na kanë shoqëruar dhe përshëndetur, shumë falenderues. Ne do të jemi krah mjekëve italiane, duke na udhëzuar ata, ne do u japim një dorë më shumë ta përballojmë këtë situatë”.

Një ndër arsyet që Gjana, thotë se pranoi që të shkonte në Itali është padyshim edhe eksperienca. “Kjo ishte arsyeja që vendosëm të vinim këtu, do të mësojmë shumë“. Në ditën e parë që vizitoi spitalin e Breshias ku do të punojë për një muaj, ai thotë se nuk kishte informacion që të kishte të shtruar të infektuar shqiptarë.