Shkoi në spital me dhimbje të fortë kokë, ndërron jetë 5-vjeçarja në Klinikën e Fëmijëve në Shkup

Një vajzë 5-vjeçare ka ndërruar jetë si pasojë e inflamacionit të trurit në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve. Nga institucioni informojnë se vajza nga Shkupi ishte hospitalizuar tek ata dy javë më parë për shkak të një dhimbjeje të fortë koke. Fillimisht u trajtua në repartin e neurologjisë, por javën e kaluar gjendja e saj u përkeqësua dhe e transferuan në repartin e kujdesit intensiv, ku iu bë edhe intubimi. Megjithë përpjekjet e personelit mjekësor, nuk arritën ta shpëtonin fëmijën, i cili zhvilloi meningo-encefalit, dhe para dy ditësh u konstatua vdekja.

Për momentin nuk ka informacione nëse dhe ku është trajtuar vajza 5-vjeçare para se të silljej në Klinikën e Fëmijëve. Nga Inspektorati Shtetëror i Shëndetësisë informojnë se edhe për këtë rast do të kryhet një inspektim i jashtëzakonshëm, pas së cilit do të informohet publiku mbi gjendjen faktike lidhur me trajtimin e fëmijës së ndjerë.