Shkëndija sonte e ka ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e Konferencave

Ekipi i Shkëndijës sonte me fillim prej ora 20:00 në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup, do të nisë garat evropiane ku do të përballet me Araratin nga Armenia, në sfidën e parë të Ligës së Konferencës.

Trajneri i Shkëndijës Artim Shaqiri ka thënë se lojtarët janë maksimalisht të përgatitur për këtë përballje, në të cilën skuadra e tij futet si favorite, mirëpo në asnjë rast për të nënvlerësuar kundërshtarin, për të cilin ka marrë informacione të mjaftueshme

“Jemi të gati për këtë sfidë jemi përgatitur mirë, dhe mund të them se kemi informacionet e duhura për kundërshtarin. Pa e nënvlerësuar kuptohet, do luajmë ndaj Ararat. Ne jemi favorit, e pranojë, mirëpo kjo vlen vetëm në letër. Dëshirojmë që nesër të fitojmë dhe me epërsi të udhëtojmë për ndeshjen e kthimit. ‘Ballistët’ pa dyshim se do të jenë një ndihmesë e madhe, ndaj mund të them se futbollistët mezi presin të fillojë ndeshja”, – u shpreh Artim Shaqiri.
Nga ana tjetër Egzon Bejtullai theksoi se ka ardhur koha që Shkëndija në Maqedoni të sjellë sërish emra të mëdhenj të futbollit europian, siç ishte rasti i para disa viteve kur në arenën “Todor Proeski” kishte ardhur gjigandi italian, Milani, e më pas edhe një skuadër si Totenhami.

“Jemi maksimalisht të përgatitur për këtë ndeshje. Duam që ta lëmë pas atë periudhë të keqe. Dëshirojmë që Shkëndija të kalojë disa xhiro në Evropë dhe sërish të sjellim klube të mëdha siç ishte rasti me Milanin dhe ekipe tjera të ngjashme që kanë peshë në futbollin evropian”, tha Egzon Bejtullai.