E gjithë bota është mbërthyer nga paniku si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Ka qytetarë që janë ndërgjegjësuar për rrezikshmërinë e këtij virusi vrasës, e disa të tjerë janë ende skeptik sa i takon ekzistencës së tij, e për këtë refuzojnë hapur rregullat e vendosur nga qeveritë.
Për të frenuar më tej infeksionin, autoritetet në shumë vende të botës nuk kanë ngurruar që të vendosin gjoba ndaj personave që nuk mbajnë veshur maskën mbrojtëse. Ndërsa në Indonezi, krahas gjobave për qytetarët po aplikohen dhe dënime të turpshme në publik. Disa ditë më parë në këtë vend policia detyroi një djalë të ri që po shëtiste pa maskë të bënte pompa në mes të të gjithëve.
Gjithashtu dhe në Tajlandë është shënuar një episod i tillë. Policia në vendin aziatik, detyroi një djalë të këndonte në mes të rrugës me zë të lartë himnin kombëtar. Ndërsa në ishullin Java, të “pabindurit” u detyruan të shkonin në funeralet e viktimave të koronavirusit në mënyrë që të ndërgjegjësoheshin.
Nuk munguan gjithashtu tek dënimet dhe pastrimi i hapësirave publike. Qytetarët që shkelën rregullat u shfaqën me jelekë të verdhë mbrapa së cilave shkruhej “Unë shkela masat e autoriteteve”. Ndërkaq në shtete të tjera është aplikuar dhe masa e arrestit me burg. Në Tajlandë një familje nga Zvicra u dënua me dy muaj burg sepse darkuan në oborr teksa filloi shtetrrethimi. Pronari i një restoranti në Malajzi po vuan dënimin me pesë muaj burg sepse vendosi të hapte biznesin edhe pse ishte i infektuar me COVID-19 e duhej të qëndronte i karatinuar në shtëpi.