Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar për largimin nga puna të z.Rrahim Rama nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar (AAPSK).
Kjo ndërprerje e “marrëdhënies së punës”, siç njoftoi ministrja në detyrë, u bë për shkak të “keqmenaxhimit, joprofesionalizmit, mungesës së transparencës, si dhe mosgatishmërisë për bashkëpunim në kryerje të detyrave të tij ligjore.”
Por, me çka merrej agjencia në fjalë që funksiononte brenda Ministrisë së Drejtësisë?
Kjo agjenci kishte për detyrë që të administronte me pasurinë që sekuestrohej apo konfiskohej nga shteti, e që ishte e evidentuar si e fituar paligjshëm. Pra, Rrahim Rama e kishte për detyrë që të administronte me paratë e vjedhura dhe paratë e organizatave apo individëve të përfshirë në vepra terroriste.
Dy postimet e fundit të Ramës, sidoqoftë, ishin të lidhura me politikën ditore. Ai e kishte shpërndarë një postim ku bënte thirrje për “Drejtësi për Agonin”, 25 vjeçarin që vdiq tragjikisht te Qendra e Studentëve ku ndodhej i karantinuar pa vullnetin e tij, transmeton GazetaExpress.
Eksponentë të ndryshëm politikë po ashtu kanë kërkuar përgjegjësi politike për rastin, përmes dorëheqjes së ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë.
Rama ka shpërndarë edhe “Marshin e UÇK-së” pas debateve që kishte shkaktuar një deklaratë e Shkëlzen Gashit mbi UÇK-në dhe Dick Martyn në T7.
Por, nga kërkimet tona del se Rama kishte qenë veprimtar politik gjatë viteve ’90 dhe pjesë e UÇK-së.
I njëjti ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) si pasuri të paluajtshme tri shtëpi, një banesë dhe tri toka të ndryshme.
Ai po ashtu ka deklaruar edhe dy vetura, njëra në vlerë të 17 mijë eurove ndërsa tjetra në vlerë të 9500 sosh.
Ministrja Haxhiu nuk ka deklaruar ende mbi keqpërdorimet eventuale për të cilat kishte ndërprerja e marrëdhënies së punës me Ramën.