Shitje e madhe e mjeteve piroteknike


Në prag të festave të fundvitit, shitja dhe përdorimi i mjeteve piroteknike sa vjen e bëhet më i shpeshtë. Fëmijët janë ata të cilët më së shumti i përdorin këto materiale të rrezikshme. Nga shërbimi i Ndihmës së Shpejtë në Shkup thonë se në këtë periudhë të vitit gjithmonë shtohen thirrjet për ndërhyrje mjekësore si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike.

“Më së shumti kemi përdorim të pushkaliqeve të cilat më shpesh përdoren rreth festave të fund vitit dhe atëherë mund të ndodhin dhe efekte të padëshiruara nga përdorimi i tyre. Kjo ndodh kur nuk dimë se si t’i përdorim mjetet piroteknike. Prindërit duhet të kujdesen shumë që fëmijëve mos të ju japin kësi gjëra sepse më së shumti fëmijët janë viktimë e lëndimeve të tilla. Ata nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun që ju vjen nga zjarri i pushkaliqeve dhe se mbajtja sa më e gjatë e tyre në duar mund të eksplodojë në vetë dorën, shputën e dorës apo gishtat të cilat mbeten deformitete afatgjate te ai person”.Në Klinikën e kirurgjisë Plastike në Shkup trajtohen rastet më të rënda të cilat shkaktohen si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike.

Për fat të keq bëhet fjalë për lëndime të rënda, të cilat më së shpeshti janë në të dyja duart, të cilat lënë pasoja të rënda si gishtërinj të shkatërruara, amputime të gishtave, kemi pasur madje dhe amputime të të dyja duarve nga përdorimi i këtyre mjeteve. Si dhe lëndime nëpër fytyrë ku lëndimi më i rëndë, më serioz dhe më i trishtë është djegie e syve e cila ka përfunduar me verbërim të plotë. Për fat të keq çdo vit kemi kësi raste. Pacientin më të vogël që e kemi trajtuar në Klinikën tonë është 4- 5 vjeçar ndërsa më I moshuar 80 vjeç, një gjysh i cili duke e shpëtuar nipin e ka marr në dorë pushkaliqen në dorën e tij- deklaroi Bisera Nikollovska, Klinika e Kirurgjisë Plastike.

Ligji parasheh gjoba nga 200-500 euro për çdo kënd i cili përdor mjete piroteknike apo materiale të ngjashme të cilat ndizen lehtë apo eksplodojnë shpejtë. Ata që prodhojnë, shesin apo mbajnë në mënyrë të paligjshme materiale eksplozive, ligji parasheh burg prej 3-10 vjet. Ministria e Brendshme ka filluar fushatë parandaluese kundër përdorimit të këtyre mjeteve të rrezikshme, ndërsa ka inkurajuar qytetarët t’i paraqesin në numrin 192 të gjithë ata të cilët shesin në mënyrë të paligjshme mjete piroteknike.