Shilegov paralajmëron zgjidhje për trafikun në Bit-Pazar

Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov pohon se kaosi në Bit Pazar do të zgjidhet kur të formohet policia komunale, që do të thotë më së shpejti vitin e ardhshëm. Automjetet në trotuare, zona e uzurpuara të këmbësorëve, tregtarë të paligjshëm …. Kjo është pamja e përditshme e një prej tregjeve më të ngarkuar në vend. Sipas Shilegovit, do të nevojitet një procedurë e gjatë për të zgjidhur problemet e Bit Pazarit me urën, vendkalimin për këmbësorë, por edhe hapësirën e uzurpuar nga kioska.
“Në këtë moment, për të zhvendosur një strukturë të tillë, keni nevojë për bashkëpunim midis dy njësive të vetëqeverisjes lokale, dy ministrive dhe të paktën një deri në dy inspektorate- deklaroi Petre Shilegov, Kryetar i Qytetit të Shkupit.

Dy vjet më parë, Shilegov premtoi se kaosi në Bit Pazar do të zgjidhet.
“Kaosi në Bit Pazar, që është problem i vjetër, duhet të zgjidhet. Qyteti i Shkupit vendosi ta rregullojë këtë pjesë të qytetit dhe për këtë qëllim, në këtë shteg do të riparohen trotuaret, një procedurë që ka filluar tashmë, do të vendosen shtylla dhe lule, do të rregullohet stacioni i taksive, do të mbillen pemë, do të rregullohen dhe ndriçohen peizazhet nga bulevardi drejt Çarshisë së Vjetër, trotuaret do të lirohen nga tezgat e paligjshme… -kishte thënë Petre Shilegov- kryetar i Qytetit të Shkupit.

Por, edhe këtë vit në Bit Pazar nuk ka vend për të kaluar. Ndërkohë, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu as sot nuk u paraqit me kryetarin Shilegov, megjithëse ishte në terrenin e tij, në rindërtimin e bulevardit “Brigada maqedonase- kosovare”. Komuna e drejtuar nga Ganiu nuk u është përgjigjur ende shumë pyetjeve të televizionit Alsat, ndër to: Nëse dhe sa ndërtesa të paligjshme janë shembur në Çair, nga 45 objektet të paligjshme të evidentuara vitin e kaluar. Komuna kishte përpjekje të pasuksesshme për ta shembur objektin e paligjshëm para Qendrës Tregtare “Mavrovasja” dhe këtë e bëri ndërmarrja “Rrugët e Maqedonisë” me vendim të Qeverisë. Programi qeveritar parashikon që të ketë inspektorë rajonal për urbanizëm me propozim që ata të punojnë si të pavarur dhe të mos japin llogari te kryetarët e komunave për rregullimin e ndërtesave të paligjshme në komunat që ata menaxhojnë. Sidoqoftë, kjo ende nuk është arritur si procedurë në Qeveri.