Qyteti i Shkupit po shqyrton mundësinë që ndarjen betonike të vendosur në Çair, ta vazhdojë edhe në pjesën tjetër të rrugës “ Cvetan Dimov”. Petre Shilegov, tha se tashmë po zhvillohen bisedime me banorët që jetojnë në atë zonë, në mënyrë që të arrihet marrëveshje për vendosjen e murit betonik. Megjithatë, thotë se rrëmuja që krijohet në komunikacion në këtë pjesë të qytetit, është tregues se policia rrugore nuk po bën siç duhet punën e saj.
Nëse më pyesni mua personalisht, për sa kohë që të gjitha institucionet e bëjnë punën e tyre ashtu siç duhet, në rastin konkret policia rrugore, nuk do të kishte rrëmujë në komunikacion, dhe të mos ketë parkime të palejuara që shpesh ndodh në këtë rrugën “ Cvetan Dimov” dhe në vazhdim në “Hristjan Todorovski Karposh”. Edhe Komunat duhet të marrin një pjesë të përgjegjësisë – deklaroi Petre Shilegov, kryetar i Qytetit të Shkupit.
Këtë Shilegov e tha në përurimin e rrethit pranë poliklinikës së Çairit. Në bisedë më gazetarët, Shilegov shprehu habi për statusin e kryetarit të Komunës së Çairit në rrjetet sociale i cili postoi foto nga rrethrrotullimi. Shilegov tha se Komuna e Çairit nuk ka investuar aspak për ndërtimin e këtij rrethi rrotullimi.