Shilegov ia dorëzoi detyrën Arsovskës

foto nga ngjarja

Në hapësirat e Qytetit të Shkupit, sot u mbajt pranim-dorëzimi i funksionit të kryetarit të qytetit ku njeriu i parë i deritanishëm i Qytetit, Petre Shilegov ia dorëzoi detyrën kryetares së re të Qytetit, Danella Arsovska. Deklaratë pas ngjarjes dha vetëm Shilegovi, i cili theksoi se e ka njoftuar Arsovskën me gjërat themelore të rëndësishme.

“Unë pres se së shpejti do të njihet me problematikën në qytet e cila është komplekse në shumë sfera, megjithatë ekipi që mbeti këtu është seriozisht profesional dhe pres se do t’i ndihmojnë të ketë punë të suksesshme”, tha Shilegov.
Nga ekipi i Arsovskës paralajmëruan se në ditët në vijim kryetarja e re e Qytetit do t’i drejtohet opinionit përmes gazetarëve.

Shilegov, në cilësinë e anëtarit të LSDM-së, i komentoi edhe ngjarjet e fundit politike me shumicën në Kuvend, me ç’rast tha se ajo që ndodhi gjatë fundjavës ishte hamendësim i opinionit, argëtim i opinionit dhe tentim të mbetet disi në lojën politike. Gjatë javës, siç theksoi Shilegov, do të mbahet mbledhja e Këshillit ekzekutiv të partisë ku shumë gjëra do të zgjidhen.