Shifrat e larta, Oda e Mjekëve i bën thirrje KSI-së për masa të reja kufizuese

Nga një marsi e deri më sot numri i rasteve me Covid është rritur për 4500 persona. Lloji britanik që e karakterizon valën e tretë e virusit po përhapet me shpejtësi dhe në bazë ditore raportohen mbi 1000 raste pozitive. Masat e vendosura nga autoritetet sipas Odës së Mjekëve nuk janë të mjaftueshme për parandalimin e përhapjes së virusit. Nga ky institucion kërkojnë masa shtesë.

Oda e mjekëve të Maqedonisë
“I bëjmë thirrje Komisionit për Sëmundje ngjitëse që ta merr me seriozitet vendosjen e masave plotësuese restriktive dhe protokolleve. Jemi të vetëdijshëm se këto masa janë skajshmërisht jo popullore, por në interes të qëndrueshmërisë së kapaciteteve spitalore dhe ruajtjes së shëndetit Publik. Si profesionistë shëndetësor konsiderojmë se vendosja e tyre është më shumë se e nevojshme”.

Derisa numri i rasteve po shtohet, Maqedonia ende pa vaksina. Qytetarët ndërkohë vazhdojnë të shprehin interesim për tu vaksinuar. Deri më sot 110,789 qytetarë janë regjistruar në platformën online dhe te mjekët amë për tu vaksinuar. Analiza e bërë nga Instituti për demokraci “Societas Civilis” ka treguar se gjysma e qytetarëve të anketuar janë deklaruar se do të vaksinoheshin, derisa 16% e tyre janë në dilemë nëse dëshirojnë imunizim.

Societas Civilis
“Pjesa më e madhe e qytetarëve e preferojnë vaksinën Pfizer, ndërkaq pas Pfizer qytetarët më shumë dëshirojnë të vaksinohen me Sputnik. Sinofarm, Moderna dhe Astra Zeneca thuajse aspak nuk preferohen nga qytetarët e anketuar, derisa një përqindje e konsiderueshme janë shprehur se nuk kanë qëndrim mbi zgjedhjen e vaksinës”.
Ndërkohë vaksinimi i punonjësve shëndetësor vazhdon të rrjedhë. Deri më sot janë vaksinuar 5,245 mantel bardhë.