Shifra alarmante të ikjes së popullsisë nga Maqedonia! 170 mijë punëtorë kanë ikur në 5 vitet e fundit


Shifra alarmante të ikjes së popullatës nga Maqedonia e Veriut. Për pesë vite vendin tonë e kanë braktisur 170 mijë punëtorë, ndërsa vetëm në tre muajt e parë të këtij viti nga Maqedonia e Veriut kanë ikur 2738 persona, thonë statistikat e fundit të Entit shtetëror të statistikave. Ky numër është edhe më i lartë tani gjatë verës kur shumë punëtorë dhe studentë vërshojnë Evropën për të punuar një punë sezonale.

Të dhënat flasin se për 20 vite vendin e kanë lëshuar 200 mijë punëtorë ose 9% nga numri i përgjithshëm i popullsisë. Përllogaritjet e vitit të kaluar ishin se vendit i mungonin rreth 10,000 punëtorë në vit, ndërkaq më të goditur janë sektori turizmit dhe ndërtimtarisë.

STATISIKA TË MIGRIMIT 2005-2023:

-2005 – 459.000 persona në migrim

-2010 – 527.000 persona në migrim

-2015 – 563.000 persona në migrim

-2019 – 658.000 persona në migrim

-2020 – 693.900 persona në migrim

-2018 – 2023 – 165.976 persona janë larguar nga vendi

-2013 – 2021 – 2500 persona janë larguar nga vendi

-2.738 persona kanë ikur vetëm në tre muajt e parë të vitit 2024

-Numri i përgjithshëm i banorëve që jetojnë jashtë RMV-së është rreth 800.000

Sociologu Sadik Emroja thotë se këto shifra nuk mund të quhen migrim, por ikje masive e popullsisë së vendit.

“Statistikat flasin për një numër alarmant që kemi një jo ikje, jo mërgim , jo kurbet, por një shpërngulje ose në kohë lufte quhet egzod. Këto statistika që për vitet e fundit flasin për kaq numër të madh të lëshimit të vendit në sociologji paraqiten në tre variante ose tri kushte të cilat duhet t’i plotësojnë një shtet. Këto shifra kanë arritur për shkak të sigurisë, nuk vlerësohet meritokracia, nuk ka shëndetësi të mirë, nuk ka arsim”, tha Sadik Emroja –profesor i Sociologjisë.

Të frikshme janë edhe shifrat e numrit të lindjeve në 73 vitet e fundit në vendin tonë, pasi vazhdimisht numri është në rënie.

Në vitin 1950 për një vit ka pasur 49 mijë të porsalindur, ndërsa në vitin 2023 kemi 16 mijë të porsalindur.

STATISTIKA E TË PORSALINDURVE:

Në vitin 1950- 49 mijë të porsalindur

Në vitin 1960- 44 mijë të porsalindur

Në vitin 1970-37 mijë të porsalindur

Në vitin 1980-39 mijë të porsalindur

Në vitin 1990-35 mijë të porsalindur

Në vitin 2000-26 mijë të porsalindur

Në vitin 2010-24 mijë të porsalindur

Në vitin 2020 -19 mijë të porsalindur

Në vitin 2023-16 mijë të porsalindur

Por sociologu Emroja, thotë se numri i lindjeve nuk ka rënë. Sipas tij shifrat janë të tilla pikërisht për shkak migrimit, pasi tani lindjet ndodhin jashtë shtetit.

“Nuk ka rënë, lindjet nëse kanë qenë në vitet e 60, 69 mijë, sot po ta flasim janë mbi 150 mijë, por ato fëmijë nuk lindin në Maqedoni por lindin në Zvicër, Gjermani, Itali France, Suedi etj etj. Me një fjalë i zbrazëm shkollat tona, i lamë shtëpitë tona mbushim shkollat e shteteve të perëndimit, nuk fajësoj asnjë mërgimtar”, pohoi Sadik Emroja –profesor i Sociologjisë.

Ndryshe Maqedonia është në top 20 vendet e botës me emigrim më të madh jashtë vendit, ndërsa sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, pothuajse 40 për qind e popullsisë me arsim të lartë është larguar nga vendi.