SHGM dhe KEMM me denoncim në MPB për përhapje të gjuhës së urrejtjes në faqen e Facebookut të Kanal 5

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Këshilli për Etikë në Mediat e Maqedonisë (KEMM) sot do të dorëzojnë denoncim në Departamentin për krime kompjuterike dhe forenzikë digjitale në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pas denoncimeve të marra nga kolegët.

Konkretisht, bëhet fjalë për një njoftim në faqen e Kanal 5 të datës 17 shtator, me titullin “Burri nervoz nga Haraçina goditi me thikë dy banorë të Aerodromit dhe tentoi të godiste me makinë një grup njerëzish!”, i cili më pas u përcoll në faqen e Facebookut të këtij televizioni, me komentin: Sërish “albanofobi” dhe tani nga PThP?”. Në këtë publikim janë shpërndarë një numër i madh komentesh, disa prej tyre me fjalor dhe përmbajtje të papërshtatshme që inkurajojnë gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin etnik.

Si gazetarë dhe organizata mediatike, ne dënojmë fuqishëm të gjitha komentet që bëjnë thirrje për dhunë dhe stigmatizojnë një komunitet të tërë etnik.

Disa nga komentet janë: “fisi i egër ortoma”… “Sa të egër janë sh….., po ne duhet të fajësojmë veten… një shoqëri për të gjithë???”… “aq ua pret, janë të kufizuar në tru” ” … dhe të tjera.

SHGM-ja dhe KEMM-ja i kërkojnë Ministrisë së Brendshme që të hetojë me kujdes mesazhet kërcënuese dhe për ato profile që dihen nga organet hetimore, përdoruesit të thirren në pyetje dhe të merren masat e duhura ndaj tyre.

Kujtojmë se Gjykata Themelore Penale tashmë ka një praktikë gjyqësore pozitive me dënime me burgim me kusht për autorët që kanë publikuar më herët mesazhe kërcënuese në rrjetin social Facebook, pas raportimeve të mëparshme të SHGM-së.

Njëkohësisht theksojmë se është obligim etik dhe ligjor për çdo media profesionale që të jetë e kujdesshme në mënyrën e informimit, veçanërisht për temat që lehtë mund të nxisin jotolerancën dhe diskriminimin. Përndryshe, media mund të shkaktojë gjuhë të urrejtjes, jotolerancë etnike dhe kjo mund të çojë në krime të tjera të urrejtjes.

Gjithashtu theksojmë se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GjEDNj) ka praktikë gjyqësore sipas së cilës media është përgjegjëse për përmbajtjen e komenteve të publikuara nën tekstin e artikullit përkatës (Delfi AS kundër Estonisë).