Shfrytëzonte dy të mitur dhe merrte para për vendparkim falas, arrestohet 37-vjeçari

U merrte para qytetarëve që parkonin automjetet në një hapësirë publike që ishte e destinuar nga bashkia, si vendparkim pa pagesë, arrestohet 37-vjeçari.
Ky shtetas gjithashtu shfrytëzonte 2 adoleshentë, si punëtorë në këtë biznes.
Si rezultat i kontrolleve të përditshme që specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Durrës kryejnë në subjekte të ndryshme ekonomike, për të kontrolluar nëse kanë të punësuar shtetas të mitur, në kundërshtim me specifikat e ligjit për këtë veprimtari, si dhe për të verifikuar ligjshmërinë e ushtrimit të këtyre aktiviteteve, është konstatuar dhe goditur një tjetër rast i paligjshmërive në të dyja këto fusha.
Për këtë rast, është vënë në pranga shtetasi E. K., 37 vjeç, banues në Durrës, pasi iu merrte para (300-500 lekë) qytetarëve, për të parkuar automjetet në një hapësirë, në lagjen nr. 1, hapësirë e cila ishte e destinuar nga bashkia e Durrësit, si vend parkim pa pagesë.
Gjithashtu, nga verifikimet rezultoi se 37-vjeçari shfrytëzonte si punëtorë në këtë biznes, dy shtetas 16 dhe 17 vjeç.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.