Shfaqja “Vdekja dhe Virgjëresha” në Festivalin “Moisiu”, Grubi: “Pamjet festive nga Teatri Kombëtar i Shkupit janë fantastike”


Ka filluar nga mbrëmë Festivali Kombëtar “Moisiu” në Teatrin Kombëtar të Shkupit, një eveniment i cili në agjendën e sivjetshme ka bashkuar shumë teatro nga mbarë trevat shqiptare. Në natën e parë artdashësit kanë ndjekur shfaqjen “Zgjimi i pranverës”, përformuar nga artistët e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi në rrjetin social Facebook shkruan se pamjet që vijnë nga Teatri Kombëtar i Shkupit në këto ditë festash janë fantastike, teksa njofton opinionin se sonte në skenë do të vendoset shfaqja “Vdekja dhe Virgjëresha”, duke filluar në ora 19:00.
Postimi i plotë:

“Fantastike pamjet që vijnë nga Teatri Kombëtarë i Shkupit. Me rastin e shënimit të netëve të bukura të Nëntorit festiv, “Zgjimi i Pranverës”, është shfaqja që bëri bashkë të gjithë shqiptarët në Teatrin Kombëtarë të Shkupit të cilët mbrëmë mbushën përplot sallën dhe nga afër ndoqën e duartrokiten fuqishëm, perfomancën nga kasta e aktorëve të Teatrit Kombëtarë të Kosovës.

Shfaqja “Zgjimi i pranverës” me regji të Zana Hoxhës është hera e dytë që vjen para publikut në vendin tonë. Herën e parë, kjo shfaqje ka arritur të merr çmimin “Grand prix” në festivalin Ndërkombëtar të Teatrit (International Theater Festival), ITF –SkupiFestival.

Nuk do ndalojnë me kaq, sepse në vigjilje të festës së madhe, nesër në Teatrin Kombëtarë në Shkup, shfaqet performanca “Vdekja dhe Virgjëresha”, në ora 19:00, të cilën ju ftoj gjithashtu ta ndiqni. Ky manifestim kulturor mbështetet nga Ministria për Sistem Politik në kuadër të festave të Nëntorit”, shkruan Grubi.
Kujtojmë se Festivali “Moisiu” do të zgjas deri më 27 nëntor, dhe i njejti mbështetet nga Ministria për Sistem Politik.