Shfaqet një gropë misterioze në Kili

Disa zyrtarë klilianë fajësojnë aktivitetin e njeriut për fenomenin e pazakontë.
Një gropë misterioze me diametër rreth 25 metra është shfaqur gjatë fundjavës në Kili, në një zonë minerare në veri të vendit. Mediat kiliane tregojnë imazhet e kapura nga ajri të kësaj grope në një tokë e cila punohet nga një minierë kanadeze e bakrit, rreth 665 kilometra në veri të kryeqytetit Santiago.

Gropa misterioze ka një thellësi prej afro 200 metrash dhe se aty deri më tani nuk është zbuluar asnjë material. “Kjo është gropa më e madhe që kemi parë kohët e fundit. Jemi shumë të shqetësuar sepse është aktive dhe vazhdon të rritet. Komuniteti ynë nuk e kishte parë kurrë këtë”, shprehet një banor i zonës. Kryetari i komunës Tierra Amarilla, Cristobal Zuniga u shpreh për mediat lokale se gropa është pasojë e aktiviteteve të pakontrolluara që kryhen nga dora e njeriut.