Shënohet rritja më e madhe ditore/ SHBA, më shumë se 1 mijë vik*tima për të katërtën ditë radhazi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë regjistruar më shumë se 1 mijë vi*ktima për të katërtën ditë radhazi si pasojë e koronavirusit, ndërkohë që rastet e reja në një ditë të vetme ishin mbi 70 mijë.

Në 24 orë, SHBA ka regjistruar rreth 73 800 raste të reja me COVID-19. Numri total i të infektuarve të diagnostikuar në SHBA që prej fillimit të pandemisë ka shkuar tashmë në 4,1 milionë, 1,26 milionë prej të cilëve janë shëruar. SHBA-ja, vendi më i prekur në botë në vlerë absolute nga COVID-19, ka regjistruar në total 145 000 të vdekur si pasojë e koronavirusit. Pas një përmirësimi në pranverë, epidemia po njeh rritje që prej fundit të qershorit, veçanërisht në shtetet më të populluara të jugut dhe perëndimit të vendit si Teksasi, Florida dhe Kalifornia. Që prej 11 ditësh, niveli i infektimeve të reja çdo 24 orë nuk është ulur nën pragun e 60 000 personave.

Por situata nuk është aspak më e mirë edhe në vende të tjera të botës. Meksika raportoi 7573 raste të reja dhe më shumë se 737 viktima, ndërsa qeveria paralajmëroi se numri i infektimeve ka gjasa të jetë shumë më i lartë se ai i konfirmuar. Në Australi, shteti i Viktorias ka regjistruar 357 raste të reja dhe pesë viktima. Zyrtarët e shëndetësisë thonë se numri i rasteve të reja çdo ditë është shqetësues edhe pse ka pak stabilitet. Gjermania ndërkohë ka raportuar 781 raste të reja në 24 orët e shkuara, ndërsa Koreja e Jugut 113, numri më i lartë ky i rasteve të reja që nga marsi. Prej tyre 86 ishin të importuar dhe 27 raste infektimesh të brendshme. Vietnami ka raportuar rastin e parë lokal në tre muaj. Ndërkohë, OBSH raportoi rritjen më të madhe të rasteve të reja ditore, në shkallë globale, që është regjistruar deri më sot, me plot 284196 raste të reja në 24 orë. E kjo rritje e madhe, vjen kryesisht për shkak të shifrave në SHBA, Brazil, Indi dhe Afrikën e Jugut.